13-07-2012

Shqiponja me dy koka, simboli ynë është më i lashti i botës


Shqiponja me dy koka konsiderohet nga shumë studiues si simboli më i lashtë i botës. Ka simbolizuar gjithmonë pushtetin. Nuk ka asnjë emblemë dhe asnjë kuptim heraldik që mund të përafrohet me të dhe të jetë i mbushur me një antikitet të tillë. Po cila është rruga e këtij simboli nëpër shekuj, çfarë simbolizon ai në të vërtetë, ku e ka zanafillën, pse e përdorin shumë shtete dhe ku mund të ketë lindur? 

Këto dhe pyetje të tjera kanë qenë objekt i shumë studimeve, të cilat janë bërë në lidhje me të. Një nga këto është ai që shpjegimin në lidhje me simboliken e shqiponjës me dy koka e jep nëpërmjet okultizmit. 
Për të kuptuar se çfarë simbolizon shqiponja me dy koka duhet të shikosh shumë larg në lashtësi. Janë rreth 4300 vjet që na ndajnë që nga gdhendja më e lashtë që tregon një shqiponjë me dy koka (e gjetur në Babiloni). 
Në tempullin e vjetër Summer, në qytetin Eshnunna (Tell Asmar), shfaqet simboli i një shqiponjë me dy koka. Shqiponja me dy koka ishte simboli i zotëve dhe prezantonte pushtetin dhe absoluten. Ky simbol shfaqet në monumentet e perandorisë së parë Hittite dhe i atribuohej perëndisë Nergal. Gjithashtu, ai ishte një nga simbolet më të fuqishme të kulturës fenikase. 
Pra, lashtësia e këtij simboli daton që në fillimet e qytetërimeve. Më e veçanta e tij qëndron në përdorjen e elementit të dy kokave. Është pikërisht ky detaj ai që është edhe çelësi i shpjegimit të kuptimit të kësaj embleme të lashtë. 
Po si ka mundësi që ky simbol i fuqishëm i botës antike dhe i qytetërimeve më të njohura pagane të qëndronte në të njëjtin rang, të ishte përsëri më i fuqishmi i heraldikës mesjetare, të behej paradoksalisht simbol i krishterimit (perandoria bizantine e kishte simbol kryesor ndërsa kisha ortodokse edhe sot e kësaj dite e ka simbol shqiponjën së florinjtë me dy koka) dhe të jetë edhe sot simbol i shumë shteteve, ushtrive e shoqërive?! Për të bërë një lloj krahasimi, ndahet në dy periudha përdorimi i këtij simboli, në erën tonë dhe para erës sonë. 
Studiues të ndryshëm të cilët japin shpjegimin në lidhje me këtë simbol, janë dakord në të njëjtën pikë. Ky simbol, në fillimet e erës sonë pavarësisht se u përdor nga mbretër e perandori, qëndroi vetëm si kompozim figurativ pasi kuptimi që fshihte në vetvete, u kamuflua qëllimisht. 
Prej kohësh është arritur në përfundimin se ky simbol nuk është shqiponjë me dy koka, ashtu si emërtohet nga e gjithë bota, por është një feniks, një shpend legjendash e mistik, i cili në lashtësi ishte qenia më magjike. Për të kuptuar se përse e nga kush ky simbol u transformua dhe u emërtua shqiponjë me dy koka. duhet të dimë se çfarë simbolizonin këto dy shpendë, shqiponja dhe feniksi në antikitet. 

Geen opmerkingen:

Een reactie posten