13-07-2012

Ngjyra e zezë e shqiponjës dhe kuptimi i saj

 Ngjyrat e ndryshme të shqiponjës kishin të bënin me rangjet e ndryshme, të cilat përfaqësoheshin me këtë shenjë. Sipas shpjegimeve të autorëve të ndryshëm, shqiponja e artë me dy koka, ishte simboli mbretëror. 


Kështu me radhë do të vinin edhe ngjyrat e tjera, ku e argjendta ishte për rangje me të ulëta, ato me ngjyra të ndryshme (unike apo të përziera) i përkisnin shtresave të tjera apo edhe momenteve e vende të ndryshme sipas të cilave përdoreshin. Ndër këto klasifikime, vend të veçantë ka shqiponja e zezë, e cila nuk kishte shkëlqimin e artë të shqiponjës mbretërore, por me hijen që ka impononte seriozitet dhe autoritet. Ajo ishte shqiponja që përdorej në luftë. Shqiponjat e zeza përdoreshin kur kryheshin luftëra dhe ngjyra e tyre nuk kishte të bënte me rangun, pasi të gjithë mbanin shqiponjë të zezë në betejë. 

Simboli i Feniksit, një prej qenieve më mistike 

Tregojnë për të emrat e njohur të botës antike latine dhe greke.

Për të parë se çfarë lidhje ka simboli i shqiponjës me dy koka me atë të feniksit legjendar, duhet të sqarojmë më parë se çfarë simbolizonte feniksi. Në lidhje me feniksin kanë shkruajtur edhe disa prej emrave më të njohur të antikitetit. Ja se ç'thonë dy prej tyre. 

Sipas historianit latin, Ovid: 

Ovidi e përshkruan kështu feniksin: "Shumica e qenieve të gjalla lindin nga qenie të tjera, por ekziston një specie e cila riprodhon vetveten. E quajnë feniks. Ky nuk jeton me fruta apo me bimë, por me rrëshirë dhe me lëngje pemësh aromatike. Kur ai ka jetuar 500 vjet, ndërton një fole në maje të një peme arre apo palme. Në të ai akumulon kanelle dhe gjithfarë lloje bimësh të tjera aromatike, nga të cilat nxirren esencat e parfumeve. Ndërton me to një fole në të cilën vendoset dhe ndërsa vdes, nxjerr jashtë frymën e tij të fundit e cila përzihet me erën e bimëve aromatike. Nga trupi i feniksit që vdiq del një feniks i ri, i destinuar që të jetojë po aq gjatë sa edhe paraardhësi i tij. Sapo rritet ai largohet nga pema, e cila ishte vendlindja e tij dhe varri i paraardhësit. Ai merr me vetë hirin e të parit dhe e çon në tempullin e diellit në Heliopolis, në Egjipt. Ai jeton në vetmi". 

Herodoti ka shkruar për Feniksin se, "Një shpend tjetër i shenjtë është feniksi. Unë vetë nuk kam parë ndonjë feniks, përveç rasteve kur e kam parë të pikturuar, por është një shpend shumë i rrallë dhe viziton qytetin e diellit, Heliopolis, në intervale që zgjasin afërsisht 500 vjet. Ai është momenti në të cilin feniksi vdes dhe nga hiri i tij lind pasardhësi". 

Këtu shihet qartë se feniksi ka të bëjë me kultin e lashtë egjiptian të diellit. Shpjegimin e këtij simboli dhe lidhjen që ka ky me atë të shqiponjës me dy koka e japin studiuesit e okultit dhe të Masonerisë. Masoneria është bazuar pikërisht në religjionet e lashta misterioze të Egjiptit dhe të Babilonisë. 

Çfarë është Masoneria, ç'simbolizon, ku dhe si lindi ajo? 

Filozofia materialiste e Egjiptit të vjetër vazhdoi së ekzistuari edhe pas zhdukjes së këtij civilizimi. Ishte adoptuar nga disa çifutë dhe e mbajtën të gjallë brenda në doktrinën kabaliste. Nga ana tjetër, një numër i mendimtarëve grekë kishin adoptuar filozofinë e njëjtë dhe e riinterpretuan dhe e përjetësuan në formë të shkollës së mendimit të njohur si "Hermeticizëm". 

Studiuesi turk, Dr. Selami Isindag, e shpjegon kështu origjinën e kësaj filozofie dhe vendin e saj në masonerinë moderne: 

"Në Egjiptin e vjetër ekzistonte një shoqëri fetare, që la si trashëgim një sistem të besimit dhe të menduarit në hermeticizëm. Edhe Masoneria kishte diçka të ngjashme. P.sh., ata që kishin arritur deri në një nivel të caktuar, përcillnin ceremonitë e shoqërisë, zbulimet mbi mendimet dhe ndjenjat e tyre shpirtërore dhe mandej i pasonin tek ata që ishin në nivele më të ulëta. 

Pitagora ishte një ndër hermeticistet që shkollohej në këto shkolla. Organizatat dhe sistemet filozofike të shkollës së Aleksandrisë dhe Neoplatonizmit i kishin rrënjët e tyre në Egjiptin e vjetër dhe atje gjendeshin disa ngjashmëri mes tyre dhe ritualeve masonike. Isindag është shumë i qartë në lidhje me ndikimin e Egjiptit të vjetër në origjinën e Masonerisë kur deklaron: "Frankmasoneria është organizatë shoqërore dhe rituale që i ka fillet e saj në Egjiptin e vjetër". 

Edhe shumë autoritete të tjera masonike thonë se origjina e Masonerisë është në shoqëritë sekrete të kulturave të lashta pagane, siç janë ato nga Egjipti i vjetër dhe Greqia antike. Një mason i vjetër, i deklaruar turk, Celil Layiketez, në revistën "Mimar Sinan", në artikullin me titull "Fshehtësia masonike: Çfarë është sekrete e çfarë jo?", shkruan: 

"Në civilizimet e vjetra greke, egjiptiane dhe romake ekzistonin shkolla mistike që ndeshen në kontekst të një shkence të caktuar apo njohuri sekrete. Anëtarët e këtyre shkollave mistike ishin pranuar vetëm pas një periudhe të gjatë të studimeve dhe të riteve të pranimit. 

Në mesin e këtyre shkollave, e para që mendohet të jetë hapur, ka qenë shkolla e "Ozirisit". Ajo bazohej në ngjarjet e lindjes së këtij Zoti, rinisë, luftës kundër errësirës, vdekjes dhe ringjalljes së tij. Këto çështje ishin dramatizuar ritualisht në ceremonitë e përformuara dhe në ketë mënyrë ritet dhe simbolet që prezantoheshin ishin më shumë efektive për shkak të pjesëmarrjes aktuale. 

Vite më vonë, këto rite themelojnë qarkun e parë të rendit të vëllazërisë, që aktualisht vazhdon me emrin e Masonerisë. Vëllazëritë e tilla çdo herë vendosin ideale të njëjta dhe kur janë në presion janë në gjendje që të jetojnë në mënyrë sekrete. Ata ishin në gjendje që të mbijetojnë deri më sot, pasi ata vazhdimisht ndërronin emrat dhe format e tyre. 

Por, ata i mbetën besnik simbolizmit të lashtë dhe karakterit të tyre të veçantë, i cili kalon dorë më dorë si trashëgimi (Mimar Sinan, 1992, Nr. 84, f. 27?29). Pra, ruajtja e simbolikes dhe trashëgimi i saj deri në ditët aktuale ka të bëjë edhe me përdorimin prej tyre të simbolit të shqiponjës me dy koka apo ndryshe simbolit të feniksit. 

Geen opmerkingen:

Een reactie posten