13-07-2012

Shikim i shkurtër mbi shqiponjën me dy koka dhe heraldiken

Për të lashtët, shqiponja me dy koka ishte emblemë e ekuilibrit, i cili konsistonte në një trup të përbashkët që udhëhiqej nga dy koka - njëra femra, tjetra mashkulli. Gjithashtu, ajo simbolizonte universin në tërësi, i cili ishte i ndërtuar nga dy forca, ato superiore dhe ato inferiore. 


Kjo qenie është perfekte nga të gjitha pikat e shikimit dhe perfeksioni është i tipizuar në të dyja kokat, të cilat kanë të njëjtin dinjitet. Është emblemë e finalizimit të individit, ku shpirti arrin ciklin final dhe fuqinë absolute. Duke pasur një simbolikë kaq të fuqishme, ajo u përdor gjerësisht nga shumë popuj. 

Shqiponjat janë të përdorura në heraldikë si në formën e pikturave ashtu edhe në atë të gdhendjes. Jo vetëm shqiponja e plotë, por edhe pjesë të saja si koka, flatrat apo kthetrat, janë përdorur si simbolika nga shumë vende. 

Ashtu si luani që konsiderohet mbreti i kafshëve, ashtu dhe shqiponja konsiderohet mbreti i shpendëve. Duke qenë se ka një simbolikë kaq të fuqishme, shqiponja është përdorur gjerësisht në të gjithë anët e globit. Ajo ka ekzistuar paralelisht si simbol me një, ashtu edhe me dy koka. Simboli i shqiponjës (si me një dhe me dy koka) është përdorur më shumë në Evropën Kontinentale sesa në heraldiken angleze. Kur mbretëronte Henry III (1216-1272), shqiponja haset vetëm në tre raste. Shpesh shqiponjat (përjashto heraldiken italiane), janë të pikturuara me sqepin, gjuhën dhe majat e flatrave me ngjyra të ndryshme nga ajo e trupit. Një shqiponjë mund të jetë e paraqitur me një apo edhe me dy koka dhe të paktën në një rast (në Gjermani) ekziston edhe një variant ku shqiponja është me tre koka. Versioni i thjeshtë, ku dy kokat shohin në drejtime të kundërta dhe shqiponja ka vetëm një trup, është edhe simboli i cili trajtohet si ai origjinali. Ndryshimet e tjera dhe shtesat që i janë bërë si p.sh. kryqe, armë, kurora, luanë etj. i përkasin kryesisht periudhës së shekullit XI, periudhë e cila mbahet edhe si lulëzim i heraldikes. 

Monedha islamike të periudhës së Khalif Nasreddin Mahmoud bin Mohammad (vitet 1200) mbajnë në njërën anë shqiponjën me dy koka dhe në anën tjetër yllin e Davidit. Ndërsa shqiponja me dy koka e Bizantit është shfaqur fuqishëm, rreth shekullit XIII në heraldiken perëndimore.

Geen opmerkingen:

Een reactie posten