04-07-2012

Udhëkryqet e reja të Çamërisë



Në historinë e trojeve etnike shqiptare rrallë mund të gjesh një çështje kaq madhore si ajo e Çamërisë që, në 100 vitet e fundit, të ketë krijuar një problematikë kaq të rëndësishme për gjeopolitikën shqiptare, greke, ballkanike, madje edhe evropiane. Ajo përbën akoma një ngërç të fortë diplomatik, politik, juridik, kombëtar, për Shqipërinë, e sidomos për ata pasardhës të kësaj krahine që sot nuk jetojnë më në trojet ku kanë lindur e kanë jetuar të parët e tyre qysh prej krijimit të jetës në Ballkan.


Në 100 vitet  e fundit mbi këtë krahinë  është ushtruar dukshëm dhe vazhdon ende edhe sot e kësaj dite strategjia  e helenizimit, e realizuar në tre etapa duke ndjekur tri rrugë: spastrimi etnik nëpërmjet genocidit të egër të ushtruar ndaj popullsisë shqiptare myslimane, me qëllim largimin e saj nga trojet e krahinës; ndryshimin e strukturës etnike të krahinës nëpërmjet kolonizimit të saj me imigrantë grekë dhe vllehë dhe asimilimin e popullsisë ortodokse shqiptare të besimit ortodoks nëpërmjet shtypjes së identitetit të saj kombëtare e ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe,  etj. Në gjeopolitikën e Ballkanit dhe të Evropës, padyshim edhe të Shqipërisë, Çamëria është e vetmja pjesë e tyre ku, në vend të një salle plot dritë, plot ajër, plot gjelbërim të përjetshëm, me plot ninulla ku asnjëherë nuk mungon deti me valët e tij, mund ta quajmë ndryshe edhe “Muzeu i Gjakut “ ose  “Muzeu i padrejtësisë”.

Nëse do ta shihnim me syrin më të ftohtë të gjithë rrugën 100-vjeçare të Çamërisë nën një thundër politike, administrative, gjuhësore, kulturore, ekonomike të shtetit grek, do të thonim me plot gojë se ajo po kthehet për të gjithë  një padrejtësi e pazbuluar ende, një fshehje për të gjithë të së vërtetës, një mjegull që kërkojnë ta mbulojnë të gjithë, të gjiithë. Studiuesi amerikan Mc Crathy Justin në një libër të tij të botuar në SHBA në vitin 1999 të titulluar “Vdekje dhe megrim,-pastrim etnik i myslimanëve osmanë” ka shkruar se strategjia e pastrimit etnik të shqiptarëve ka nisur që me fitoren e Revolucionit grek të vitit 1827. Ai thotë: “Revolucioni grek është lëvizja e parë që identifikon vetveten me vdekjen dhe dëbimin e myslmanëve nga vendi i tyre.” Kështu ajo mbetet një çështje të shtruar për zgjidhje që ende nuk është hedhur në tryezën e një zgjidhjeje konkrete. Në një sipërfaqe relativisht të vogël gjoegrafike, gjeopolitika e tij të afron shumë vatra të ndezura që akoma edhe sot mbeten probleme të rëndësishme të shumë faktorëve politikë, juridikë, për trajtim . Më konkretisht, Çamëria dhe problemi i saj është në pamje të parë i dy shteteve fqinj, si është Greqia dhe Shqipëria, por për kompleksitetin e zgjidhjes së tij në mënyrë të natyrshme janë futur edhe faktorë të tjerë që përfshijnë edhe Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, Këshillin për të Drejtat e Njeriut, Komisariatin e OKB për refugjatët, Gjykatën e Hagës për Krimet ndaj Njerëzimit, Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut, etj…


Vështrim i përgjithshëm për  Çamërinë

Nuk mund të kuptosh rrethanat e gjeopolitikës që lidhet me Çamërinë pa prekur në mënyrë të sintetizuar një histori të shkurtër të kësaj krahine.  E parë në një kënd tjetër , duhet bërë patjtetër një vështrim i përgjithshëm për të,  sepse historia e gjeografia e saj ka patur ndikimet në zhvillimet politike të të dy vendet.  Pa u nxituar për të dhënë gjykimet tona do të thonim paraprakisht se kjo mosnjohje e kjo mjegullnajë informacioni apo edhe shtrembërimet e tij në sytë e opionionit politik, diplomatik, shkencor dhe masiv për të ka qenë një “armë“ e re për të vënë në jetë të gjithë synimet dashakeqe që kanë patur në vite, për të mos thënë edhe në shekuj fqinjët tanë grekë.

Krahina e Çamërisë përbën pjesën më jugore të banuara historikisht nga shqiptarët. Në aspektin etnologjik ajo është një vazhdimësi e popullit shqiptar. Është një nënnjësi e saj bashkë me Myzeqenë, Labërinë, Toskërinë, etj. Lidhjet më të ngushta ajo i ka pasur me Labërinë. Sipas Profesor Çabejt forma tipike arkaike e të folmes së Çamërisë, e përbërë nga grupet e bashkëtingëlloreve kl e glndodhet edhe sot në Gjirokastër, Delvinë e Sarandë gjë që tregon vazhdimësinë shqiptare. Toponimia  shumë e pasur e kësaj krahine ka qenë  mbetet një nga argument shumë  i bindshëm për origjinën e Çamërisë. Studiuesi i njohur francez shkruan  se origjina e emrit “çam” , “Çamëri” vjen nga lumi që e përshkron krahinën “Thiamisi”  antik.

Në punimet e studieusit E.Çabej vijëmësia e fjalëve Thiamis-çam shpjegohet me rregullat e fonetikës historike të shqipes. Kjo e spjegon saktësisht autoktoninë e shqiptarëve në vendbanimet e tyre të sotme. Emrat “Çamëri” (Thesproti) dhe “Epir” kanë bashkëjetuar për një kohë të gjatë në këtë vend. Emri “Çamëri” qëndron i gjallë dhe i fuqishëm më tepër në kujtesën  e popullit dhe në literaturën shqiptare kurse emri “Epir” u shua nga përdorimi dhe mbeti vetëm në literaturën greke që e përdorën dhe vazhdojnë që ta përdorin edhe sot për arsye politike. Pasi aneksuan trojet e Çamërisë ose të Epirit të Veriut strategjia e helenizimit iu ngjall aspirata për aneksimin e Epirit të Veriut.

Krahina e Çamërisë kufizohej me botën helene. Në perëndim ajo ka dalje të gjërë  në detin Jon. Gjiri më i madh është Gjiri i Artës dhe Gjiri i Prevezës. Gadishulli më i madh është ai i Prevezës që shtyhet deri në vendin ku është krijuar qyteti i Prevezës. Në këtë vend janë përfshirë portet kryesore të krahinës si ai i Gumenicës, Pargës, Murtos (Vola) Sajadha, Preveza, Salahora. Në këtë bregdet janë formuar disa plazhe natyrore si ai i Nikopolit.  Kufiri jugor i Çamërisë në Prevezë ka qenë kufiri që e caktojnë të gjithë historianët objektivë të Shqipërisë e të Evropës. Kjo duket edhe te vargjet e poetit të shquar shkodran Vaso Pasha që thotë midis të tjerash “ Qysh prej Tivarit deri në Prevezë”.

Pozita e saj ishte shumë e  favorshme  nga ana strategjike, ekonomike, gjeopolitike. Në të kalonin rrugë të rëndësishme detare, tokësore që lidhen me gadishullin Apenine, me ishullin e Korfuzit, me mbarë Ballkanin, me Labërinë, Gjirokastrën në Veri.  Klima jashtëzakonisht e favorshme me një diellëzim të madh, me temperatura optimale që favorizojnë zhvillimin e agrumeve, ullishtave, vreshtarisë të pemëve frutore, por edhe të një numri të madh të bagëtive të imta.

Sipërfaqja e Çamërisë është 9203 km katrorë, por 9076 pa ujërat e brendshme. Në territorin administrativ të shtetit të sotëm shqiptar janë 7 fshatra të kësaj krahine që ndodhen në zonën e Konispolit.  Popullsia e Çamërisë që në lashtësi ka qenë shqiptare. Aty ka banuar fisi i lashtë pellazgo-ilir i elimëve. Këtë e vërtetojnë tumat, kalatë, puset ritualet etj Sipas statistikave turke të vitit 1910 për Sanxhakun e Çamërisë numri i popullsisë jepet në 60 897 shqiptarë nga të cilët 31 304 janë myslimanë  dhe 29 593 janë ortodoksë. Grekët në atë kohë përbënin 12 për qind të popullsisë duke qenë vetëm 9840 frymë në vitin 1913 kur kjo krahinë iu shkëput padrejtësisht trungut amë sipas Vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Charles Velay në një vepër historike, të botuar në Paris më 1913 jep numrin 70 000 banorësh pas dëbimi masiv të popullsisë myslimane të Çamërisë në pjesën që jeton në Shqipëri përbën një shifër prej rreth 200 000-250 000 vetë. Sipas statistikave greke të vitit 1937 Çamëria kishte 279 fshatra dhe një popullsi prej 112 619 banorësh, nga të cilët vetëm 20200 ishin grekofonë, por edhe ata me prejardhje shqiptare. Ndërsa pjesa tjetër ishin thjesht shqiptarë. (Sestrimni “La Ciamuria” f. 493) Në kohën e pushtimit osman Çamëria ishte pjesë e Vilajetit të Janinës. Në shekullin XVIII dhe XIX sipas të gjithë udhëtarëve, shkrimtarëve e diplomatëve që kanë kaluar në këtë vend banorët çamë quheshin shqiptarë dhe grekët nuk guxonin që t’i shtrinin pretendimet e tyre mbi Çamërinë. Kjo vërtetohet nga Pukëvili, Bajroni, Lik, Haan, Dozon etj. Të gjithë zbulimet arkologjike të bërë në këtë krahinë e pranojnë vazhdimësinë iliroshqiptare të saj. Studiuesi grek Straboni ka shkruar: “Kaonët e thesprotët  e pas tyre edhe akaopët të gjithë së bashkiu janë thesprotë  dhe banojnë në bregdetin që fillon nga malet Keraune deri në gjirin e Ambrakisë”.


nga Namik Selmani

Geen opmerkingen:

Een reactie posten