04-07-2012

E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit

Gabime metodike dhe faktologjike 


Para se të hyjmë në temën e mirëfilltë e ndiejmë për detyrë të nënvizojmë disa kritere të gabuara që përmban sinteza mbi shqiptarët në "Enciklopedinë e Maqedonisë", të cilat nuk tregojnë shkencë, por amatorizëm dhe nacionalizëm.Gabimi i parë i palejueshëm për historianët, madje edhe për mësuesit e shkollave
të mesme, është shkelja e parimit më elementar të metodologjisë shkencore të historiografisë, e cila kërkon
që ngjarjet historike të shihen në kohë dhe në hapësirë. Është pikërisht ky gabim që vihet re në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në bazë të këtij parimi, Maqedonia antike nuk duhet të identifikohet as për nga shtrirja gjeografike, as për nga etnikoni i banorëve me Republikën e Maqedonisë së ditëve tona. Para së gjithash se shtrirja gjeografike e emërtimit Maqedoni, gjatë shekujve nuk ka qenë kurdoherë e njëjtë. Kohë pas kohe, kufijtë e saj territorialë kanë pësuar luhatje. Madje, ka pasur raste kur emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur krejtësisht jashtë kufijve të sotshëm të saj. Kështu për shembull, në shekujt I-II të erës sonë ekzistonin dy provinca romake me të njëjtin emër - Maqedonia e Parë (Macedonia Prima) me qendër Selanikun dhe Maqedonia e Dytë (Macedonia Secunda) me qendër Durrësin. Te vepra e gjeografit Aleksandrin të shekullit II Klaud Ptolemeu (Geographia, Libri 12), Maqedonia e Dytë, pra provinca e Durrësit shtrihej në veri deri në derdhjen e lumit Drin, në Lindje përtej Liqenit të Ohrit deri te qyteti Heraklea i Lynkestëve, kurse në Jug, përtej Vlorës deri në malet Akroceraune të Himarës. Më vonë, Maqedonia e Dytë u quajt provinca e Epirit të Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin dhe përfshinte, sipas njoftimeve që ndeshim në Notitia Dignitatum (III, 13) edhe një pjesë të Maqedonisë historike (Epirus nova et pars Macedonia Salutaris). Për këtë arsye, shpeshherë në burimet historike mesjetare, savante europiane, Arbëria është identifikuar me Maqedoninë (Albania sive Macedonia) dhe shqiptarët e provincës së Durrësit, janë quajtur maqedonë. Përkundrazi, banorët sllavë pasi u vendosën në Maqedoni në fillim u quajtën skllavinë dhe më vonë bullgarë, kurse vendi i tyre në fillim Skllavini dhe më vonë Bullgari. Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt Lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë.
Në pragun e dyndjeve sllave ekzistonin, sipas njoftimeve që përmban vepra e udhëpërshkruesit të shekullit V, Hierocles (Synecdemus, 655, XVI, 7), përsëri dy provinca që mbanin emrin Maqedoni - njëra Macedonia Prima (Maqedonia e Parë), me qendër Selanikun, tjetra Macedonia Secunda (Maqedonia e Dytë) me qendër Stobin.
Me një fjalë, në shekullin VI e.s. kur filluan dyndjet sllave në Ballkan, emërtimet gjeografike-administrative antike, Dardani dhe Maqedoni, vazhdonin të ishin ende në përdorim. Në shekullin VI ato ishin shndërruar në njësi administrative perandorake bizantine me po ato emra - në provincën e Dardanisë dhe në provincën e Maqedonisë së Dytë. Ato ishin përsëri fqinje me njëra-tjetrën. Provinca e Dardanisë vazhdonte të kishte kryeqendër Shkupin. Përkundrazi, provinca e Maqedonisë së Dytë, tani e ngushtuar, kishte për kryeqendër përsëri Stobin. Kufiri i tyre kalonte midis Shkupit dhe Stobit, afër fshatit të sotshëm Kozhle poshtë lart në veri të qytetit Bylazora, sot Velesh, e cila kjo e fundit i takonte Pajonisë. Tjetër pikë kufitare ishte qyteti dardan, Sintia, të cilën Tit Livi e quan shkoqur "urbs dardanorum" (T. Livi XXVI, 253), diku në luginën e lumit Strimon, midis Shkupit dhe Përlepit, nga të cilat kjo e fundit i takonte Maqedonisë. Sikurse shihet, në shekullin VI viset shqiptare të Maqedonisë së sotme nuk bënin pjesë në asnjë nga dy provincat bizantine maqedone.
Përfshirja nga shumë historianë maqedonë e viseve veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, sot të banuara në shumicën dërrmuese nga popullsi shqiptare, - që nga rrethet e Ohrit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, Kumanovës - në kufijtë e Maqedonisë historike, është pra një shkelje e kritereve të historiografisë shkencore. Me këtë hartë gjeografike të shekullit VI, Bjeshkët e Sharrit kanë përbërë për mijëra vjet, si më parë edhe më vonë, deri më 1913, boshtin kurrizor të provincës së Dardanisë apo të Vilajetit të Kosovës dhe jo siç përbëjnë sot kufirin politik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.
Gabimi i dytë ka lidhje me cilësimin që akademikët e Maqedonisë u bëjnë shqiptarëve si banorë të dikurshëm të maleve të Shqipërisë, të cilët më vonë qenkan dyndur "heshturazi" në fushat e Maqedonisë, duke ia ndryshuar karakterin etnik sllav që këto vise kanë pasur më parë. Ky cilësim ka brenda saj një varg pasaktësish, madje absurditetesh.
Para së gjithash, termi që ata përdorin për dyndje të heshtur të shqiptarëve është një abuzim letrar. Historia nuk njeh dyndje të heshtura. Dyndjet kryhen kurdoherë me dhunë. Ato që zhvillohen në mënyrë të heshtur janë emigrime apo shtegtime. Përdorimi i termit dyndje të heshtura

Provinca e Dardanisë me kryeqendër Shkupin, provinca e Maqedonisë së Dytë (Macedonia Secunda) me kryeqendër Stobin, provinca e Maqedonisë së Parë (Macedonia Prima) me kryeqendër Selanikun në shekujt V-VI të erës sonë. Hartë e fotokopjuar nga botimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë: Izvori za Bëllgarskata Istorija. Fontes Latini, vëll.I, Sofia 1958.


Është përdorur mbasi nuk ka fakte të dokumentuara. Deri sot asnjë historian nuk ka ndeshur në burime historike dokumentare, që të vërtetojnë shtegtime në masë të hapura, ca më pak të "heshtura" banorësh nga malësitë e Shqipërisë nëpër fushat e Maqedonisë. Në të vërtetë, në Maqedoninë historike, fqinjë e Dardanisë, ka disa enklava shqiptarësh në rrethin e Manastirit, të Përlepit apo të Veleshit, të cilat mund të thuhet se janë krijuar nga shtegtime të mëvonshme. Por shqiptarët që përbëjnë shumicën në rrethet veriperëndimore dhe veriore të Republikës së sotme të Maqedonisë, që nga Ohri deri në Kumanovë, kurrsesi nuk mund të quhen enklava, pasi ata përbëjnë shumicën e këtyre krahinave, aq më tepër që këto krahina kanë vazhdimësi territoriale me njëra-tjetrën dhe me viset shqiptare të Shqipërisë së ditëve tona. Përveçse këto krahina nuk kanë bërë pjesë në provincën e Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë, as në periudhën osmane, sikurse do të shohim, banorët e tyre janë pasardhësit e stërgjyshërve të tyre, të cilët kanë banuar për shekuj në viset jugore të Dardanisë dhe në viset lindore të provincës së Durrësit, pra në atdheun e tyre historik. Shqiptarët janë pra, banorë autoktonë, kurse ardhacakë janë banorët sllavo-maqedonë, paraardhësit e të cilëve janë vendosur në Gadishullin Ballkanik në shekullin VII të erës sonë. Me këtë pohim, as që na shkon ndër mend të lëvrojmë te shqiptarët pasione nacionaliste, as t‘ua mohojmë sllavo-maqedonëve atdheun që krijuan pas shekullit VII të erës sonë. Qëllimi ynë është vetëm të respektojmë saktësinë historike dhe t‘u vëmë ledh fyerjeve dhe synimeve politike që fshihen prapa këtyre fyerjeve.
E treta, çështja më serioze e debatit, ka lidhje me identitetin etnik, apo kombëtar, apo kulturor të maqedonëve të sotshëm.
Të gjithë popujt apo kombësitë kanë një identitet pak a shumë të përcaktuar etnik, apo kombëtar, apo kulturor, një identitet të formuar me ngjyrime të ndryshme sipas kohëve, por që në çdo kohë ai i dallon nga kombësitë dhe kombet e tjera. Në komponentët e identitetit bëjnë pjesë, jo vetëm gjuha, doket, zakonet, mentalitetet, në disa raste feja, por edhe prejardhja gjenetike. Me sa dimë ne, të gjitha kombësitë e kanë formuar prej kohësh identitetin e tyre etnik apo kulturor. Të gjithë e dinë se cila është prejardhja e tyre gjenetike. Vetëm maqedonët e sotshëm, siç po del nga pena e tyre, duket se nuk kanë ende një identitet të përcaktuar. Ata janë ende në kërkim të identitetit të tyre kulturor dhe historik. Në përgjithësi pranojnë se i përkasin familjes së madhe etnolinguistike sllave dhe se procesi i formimit të kombësisë tek ata nisi me vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik. Deri në fund të shekullit XIX, madje edhe deri në pragun e Luftës së Dytë Botërore, banorët sllavë të Maqedonisë e mbanin veten në përgjithësi si pjesëtarë të kombësisë bullgare. Që nga fundi i shekullit XIX, lindi tek elitat e tyre politike ideja se ata padrejtësisht kanë qenë përfshirë në kombin bullgar. Në qoftë se ata e veçuan veten e tyre nga kombësia bullgare dhe vunë themelet e kombësisë maqedone, kjo është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të ndërgjegjes së tyre. Sigurisht, që nuk na u duk e arsyeshme kur me themelimin e Republikës së Maqedonisë ata filluan të pretendojnë se ishin pasardhësit e etnisë maqedone të kohës antike dhe se Aleksandri i Maqedonisë ishte figurë e ndritur e historisë antike të maqedonëve sllavë.

Geen opmerkingen:

Een reactie posten