05-07-2012

Arbëria në kohën e normandëve dhe Kryqtarëve


Lançimi i Kryqëzatës së parë për çlirimin e Jeruzalemit u bë në 27 nëntor të vitit 1095, në Koncilin e Clermont-it, në Francë. Papa Urban II kapërceu veriun e Italisë dhe mori rrugën drejt vëndit të frankëve, pasardhësve të galëv, kalorësve të famshëm Clovis dhe Vercingetorix. Disa kronistë thonë se për të ndërmarrë Kryqëzatën ai u shty nga normandi Bohemond, biri i të tmerrshmit Robert Guiscard, që kishte pushtuar më parë Durrësin, por që ishte mundur pastaj nga ushtria e perandorit bizantin Aleksis, në bashkëpunim dhe me forcat shqiptare që mbronin kështjellën në Durrës. Të tjerë thonë se ishte murgu i vobektë Peirre l’Ermite që thirri për çlirimin e Varrit të Krishtit dhe ai e ndoqi pas. Fjalimi i Papës në këtë koncil nuk ka mbetur i shkruar gjer në ditët tona, por njihen urdhëresat e nënshkruara, jehona e kësaj ngjarje
dhe shkrimet e kronistëve, kur turmat e besimtarëve iu përgjigjën thirrjes së Papës me britmat „Dieu le veut!” „Zoti e kërkon!”

Në atë kohë, për dhjetë vjet me rradhë, Durrësi dhe brigjet shqiptare po jetonin në paqe. Por dyndjet normande do të rishfaqeshin sërrish, kësaj rradhe të drejtuara nga Bohémond de Tarente (Guiscard), i cili i njihte mirë këto brigje të ashpra, të vështira për t’i nënshtruar. Ai shoqërohej nga nipi i tij Tancrede si dhe kushërinjtë e tij Richard de Raoul i Salernos, Robert d’Anse, etj. Para se të nisej, Bohémond-i kishte mbajtur një fjalim të gjatë para trupave të tij, një pjesë të të cilit na e bën të njohur kronisti-murg, Robert le Moine (Murgu), në dorëshkrimin e tij Hierosolymituna expeditio: „Le të bashkohet me mua ai që i përket Zotit. Kalorës! Ju që sot jeni kalorësit e mij, ju do të bëheni kalorësit e Zotit! Pra merrni bashkë me mua rrugën për Vëndin e Shenjtë. Të gjitha gjërat e mia, konsideroini si tuajat. A nuk jemi ne nga raca franceze? A nuk janë dhe njerëzit tanë si ata që kanë ardhur nga Franca? Ç’turp do të ishte nëse njerëzit tanë dhe vëllezërit tuaj frank të shkonin pa ne për tu bërë martirë, madje dhe në Parajsë? Nëse kjo ushtri do të marshonte në luftë pa ne, atëherë me të drejtë mund të na akuzonin si njerëz pa kurajë…”

Nga normandët e Siçilisë që zbritën në brigjet shqiptare, ishin dhe vëllai i Tancrede-it, konti de Rossignolo dhe vëllezërit e tij Hermann de Canne, Onfroy de Montescaglio si dhe Robert de Sourdeval, Boel de Chartres, etj. Bohémond-i zbarkoi në brigjet shqiptare midis Vlorës dhe Durrësit, në nëntor të vitit 1096, atëherë kur fillonte „Kryqëzata e parë” për çlirimin e Jeruzalemit. Kjo Kryqëzatë u predikua nga Urban II në Koncilin e Clermont, në Francë. Pastaj ishte arqipeshkvi Adhémar du Puy, ai që mori kryqin dhe u bëri thirrje turmave ta ndiqnin në udhën e tij. Por si „Kalorës i Krishtit”, Bohémond-i synonte njëkohësisht të shkonte drejt Konstantinopojës. Në fillim ai pushtoi Vlorën, duke mbledhur trupat në fshatin e quajtur Dropoli, në luginën e lumit të Vjosës. Ana Komnena shkruan se Bohemond-i zbarkoi në Vlorë me shumë kontë dhe një ushtri të pallogaritshme. Kronisti tjetër Albert d’Aix, shkruan për 10.000 kalorës dhe një numur shumë i madh këmbësorësh. Në fakt ata shfrytëzuan luginën e Vjosës dhe zgjodhën rrugën më të vështirë, por më të sigurtë, pasi nuk donin të binin ndesh me trupat bizantine që zotëronin Via Egnatia-n, edhe pse nuk ishin më në gjëndje lufte. Rruga kalonte drejt Gramozit, në malet me dëborë. Në Kastoria u furnizuan me ushqime.

Këtë ngjarje e përshkruajnë katër burimet kryesore të kësaj periudhe historike: dorëshkrimi anonim Gesta Francorum et aliorum Hierosolimitanorum, vepra Alexiade e Ana Komnena-s, dorëshkrimi i Guillaume de Pouille dhe kronika e Guillaume de Tyr, një prej kalorësve që luftoi gjer në bedenat e kështjellës së Jeruzalemit. Siç dihet anonimi ishte një kryqtar, i cili e ndoqi ushtrinë e Bohémondi-t në betejën e Nike-së, betejën e Doryle-së, rrethimin e Antioche-s e gjer në marrjen e Jeruzalemit dhe betejën e Ascalon-it, ku mbaron dhe tregimin e tij. Në fakt, Bohémond-i u kthye në Antioche për të ngritur principatën e tij, ndërsa anonimi ndoqi nipin e tij, Tancrède. Në fillimin e Kryqëzatës, anonimi shkruan se „Bohemundi i mblodhi ushtarët e tij dhe i këshilloi që të silleshin mirë ndaj popullit dhe të mos shkatërronin këtë tokë që u përkiste kristianëve dhe të mos merrnin asgjë përveç çka duhej për tu ushqyer… Atëherë u bë nisja dhe ne shkuam përmes shumë krahinash, nga qyteti në qytet, nga kështjella në kështjellë. Ne mbërritëm kështu në Kastoria dhe atje festuam natën e Krishtlindjes.”

Pas festës, ata u dyndën drejt Maqedonisë dhe një vit më vonë, më 1097, duke ndjekur Via Egnatia, ata mbërritën përpara mureve mbrojtëse të Konstantinopojës. Në librin Rënia dhe vdekja e Konstantinopojës, historiani francez Jacques Heers, duke iu referuar kronikës anonime shkruan se pasi zbarkuan pranë Durrësit, „në tetor të vitit 1096, normandët e Bohemond de Tarente-s shkuan fshat më fshat, kështjellë më kështjellë dhe qytet më qytet, e kështu deri në Kostur për të festuar atje Krishtlindjet”. Një kronist i kësaj epoke dhe një nga burimet më interesante dhe të rralla të jetës së Guiscard-it, Guillaume de Pouille, i cili e shoqëroi Bohémond-in gjatë kësaj Kryqëzate, në dorëshkrimin që mban titullin Historia e Kryqëzatës së parë, shkruan se „Tek ne, popullsia atje nuk shikonte pelerinët e Kryqëzatës, por ata mendonin se ne kishim shkuar për të shkretuar e bastisur tokat e tyre dhe për t’i masakruar ata. Atëherë, ne i bastisëm tokat, u morrëm viçat, kuajt, gomerët dhe gjithçka që gjenim.” Por një burim tjetër historik shkruan dhe për grabitjet e kryqtarëve gjatë rrugës. Kuptohet që ata s’kishin burim tjetër për t’i mbijetuar atij rrugëtimi të gjatë e cfilitës. Historiani Pierre Aubé, në librin e tij Godeffroy de Bouillon, i referohet një letre të peshkopit të Ohrit, Théophilacte (Teofilakti), i cili i shkruante njërit prej miqve të tij se „Kalimi apo invazioni i frankëve, nuk di se çfarë emri mund t’i vë kësaj, na ka trëmbur dhe shqetësuar aq shumë, saqë ne e kemi humbur toruan. Kam qënë si një i dehur, por tani që u mësuam me këto halle të shkaktuara nga frankët, ne i durojmë më mirë mjerimet tona”.

Jeruzalemi kishte kohë që ishte pushtuar nga arabët. Perandor Aleksi mendonte që gjithë kalorësit frankë e normandë, të cilët do t’i përgjigjeshin thirrjes së Papës, t’i përdorte për të fuqizuar dhe zgjeruar territoret e perandorisë së tij. Steven Runciman, në librin e tij Historia e Kryqëzatave, (Histoires des Croisades), shkruan se „Aleksis I i priste kryqtarët që vinin nga Italia. Madje ai dërgoi rezerva ushqimore në Durrës dhe qytezat që kalonin rrugës për në Konstantinopojë. Guvernator i Dyrrachium-it ishte nipi i tij, Joan Komnena. Ai kishte marrë urdhër që t’i priste me ngrohtësi prijësit e Kryqëzatës dhe të kujdesej që këto ushtri të ishin nën kujdesin e policisë ushtarake. Admirali i tij Nikolaos Mavro Katalau, dërgoi një flotilje gjer në ujrat e Adriatikut për të mbikqyrur ardhjen e anijeve të para transportuese të frankëve. Por vetë Perandori qëndroi në Konstantinopojë. Ai e dinte që Papa kishte fiksuar datën 15 gusht të fillimit të Kryqëzatës, por ndërkohë, që në maj të vitit 1096, një kasnec e kishte njoftuar se ushtria e parë franke kishte kapërcyer Hungarinë…” Lidhur me këtë moment historik, Ana Komnena shkruan gjithashtu: „Aleksis nuk pati kohë të shlodhej, pasi ai dëgjoi njoftimet se një ushtri e pamundur frankësh po afroheshin. Ai dyshonte për këtë, sepse e njihte vrullin e pandalshëm, karakterin jo të qëndrueshëm, temperamentin kelt dhe pasojat që mund të kishte nga ata. Ai e dinte se ata ishin të uritur për para dhe në rastin më të parë, traktatet i prishnin pa skrupull. Por pa e humbur kurajon ai mori të gjitha masat që të ishte gati për luftë, nëse rasti do ta kërkonte. Realiteti ishte akoma më i rëndë sesa fjalët që qarkullonin, pasi ishte gjithë Perëndimi dhe kombet barbare që jetonin në anën tjetër të brigjeve të Adriatikut dhe të Kollonave të Herkulit. Të gjithë po marshonin në masë, duke marrë me vete familje të tëra që shkonin drejt Azisë, duke kapërcyer Evropën nga njëri cep tek tjetri…” Ana Komnena dhe kronisti Geoffroy Malaterra në dorëshkrimet e tyre e paraqesin Bohémond-in si një aventurier të rrezikshëm dhe të etur për plaçkitje dhe territore, ndërsa kronistë të tjerë si, kronisti Tudebode, ai i Gesta Francorum, apo Historia belli sacri, e paraqesin atë si një „kalorës fetar” dhe si një „kampion të vërtetë të Krishtit”, duke iu përgjigjur kështu thirrjes së Urban II në „Koncilin e Clermont”: „Kushdo që është i prekur nga shpirti, por jo për të fituar nder dhe para dhe që do të marrë rrugën e Jeruzalemit për të çliruar Kishën e Zotit, le t’i kthehet ky udhëtim si pendesa e vetme e tij përpara Zotit”. (Concile de Clermont)

Në portat e Dyrrachium-it

Kronikat e Kryqëzatës na mësojnë se i pari që u nis për Kryqëzatë ishte Pierre l’Ermite (Eremiti), një murg i zbathur ë predikonte mes turmave popullore se duhej shkuar për të çliruar Varrin e Krishtit. Atij iu bashkuan dhjetra mijra njerëz, të varfër, gra e fëmijë, duke iu drejtuar Konstantinopojës në një ethe marramëndëse. Ndërsa nga frankët ishte Hugues, konti i Vermandois, i cili ndryshe nga murgu i varfër Pierre L’Ermite, do t’i drejtohej brigjeve të Ilirisë. Para nisjes, ai dërgoi një mesazh në Konstantinopojë, duke i kërkuar perandorit ta presë në nivelin e një princi me gjak mbretëror. Me të u bashkua dhe Drogon de Nesle, Clérambault de Vendeuil, Guillaume de Melun dhe kalorës të tjerë me emër. Ana Komnena shkruan: „Hugues, vëlla i mbretit të Francës, krenar si Novat i fisnikërisë së tij, i pasurisë dhe i fuqisë së tij, në momentin që po linte vëndin e tij për të shkuar në Varrin e Shenjtë, njoftonte „autokrator”-in, duke i drejtuar një mesazh qesharak me qëllim që të siguronte një pritje të shkëlqyer: „Dije, o „basieleus” se unë jam „basileus” i „basileus”-ve, më i madhi i atyre që jetojnë nën qiejt. Në mbërritjen tonë, duhet që të më presin me nderimet e denja, sipas gjakut tim…” Ata kaluan nga Roma dhe Bari, ku pikëtakuan normandë të tjerë që po niseshin për Kryqëzatë.

Hugues „Magnus” (Maisné - i Madhi), dërgoi më parë 24 kalorës, nën drejtimin e Guillaume de Melun për të informuar guvernatorin e Dyrrachium. Ana Komnena përmënd një letër të dytë që ai i dërgonte guvenratorit të Durrësit: „Dije o dukë, se Zotëria ynë Hugues po mbërrin dhe se ai po sjell nga Roma flamurin e artë të Shën Pjetrit. Dije gjithashtu se ai është komandanti i gjithë ushtrisë franke. Pra përgatitu ta presësh në mënyrë të denjë, siç e kërkon forca e tij, trupat që komandon dhe të shkosh ta presësh…” Më pas, anijet e tij morën udhën drejt Durrësit. Por stuhija e madhe në det i shpërndau anijet. Anija e kontit De Vermandois doli në bregun shqiptar në „Cap Palli” (Bishtin e Pallës), disa kilometra në veri të Durrësit. Atje i gjeti i dërguari i guvernatorit, i cili i çoi në Durrës. Ata qëndruan në qytetin antik gjersa një funksionar i lartë bizantinas, Manuel Butumites, erdhi nga ana e perandorit për t’i shoqëruar drejt Konstantinopojës. Kronisti tjetër mesjetar Foucher de Chartres, në Histoire occidentale des croisées, (III), shkruan për rrugëtimin në tetorin e vitit 1096 e këtij prijësi si shef i kryqtarëve të Perëndimit nga Bari në Durrës, i cili u mbajt si i burgosur nga guvernatori.
Koha e ndërmarrjes së Kryqëzatës së parë të kristianëve për të çliruar tokën dhe varrin e Krishtit ishte një nga ngjarjet më të mëdha të atij fillim mijëvjeçari. Kronikat e vjetra shkruajnë për disa prijësa të tjerë normandë e frankë që morën rrugën drejt brigjeve shqiptare për t’iu drejtuar pastaj Tokës së Shenjtë. Kronistët përmëndin dhe të famshmin Robert de Flandre, i cili kishte kaluar disa vënde sllave dhe „kur ai kishte mbërritur drejt brigjeve shqiptare, kishte përshtypjen se ishin toka pjellore”. „Krahina e Vjosës ka drithëra të shumta… Në Durrës, është kisha e Shën Maria Virgjëreshës e amalfitanëve” (Amalfi ishte kryeqëndër e normandëve në Italinë e jugut). Ana Komnena shkruante gjithashtu se „në Durrës kishte shumë tregëtarë nga Amalfi dhe nga Venediku”.

Në rradhën e prijësave frankë që niseshin për Kryqëzatë dhe merrnin rrugën drejt Adriatikut, për tu bashkuar pastaj me Via Egnatia, ishin dhe Robert de Normandie (Robert Courteheuse, biri i Guillaume le Conquerant) dhe kunati i tij Etienne de Blois, kont i Blois dhe Chartres, të cilët mbanin si mbiemra, emrat e krahinave që kishin si zotërime të tyre. Pasi kishin zbritur malet e Italisë, kryqtarët e „ushtrisë të katërt franke”, kishin shkuar në Romë që t’i pagëzonte Papa dhe që andej kishin zbritur në zonën e normandit Roger Borsa, duke i marrë anijet në Brindizi më 5 prill të atij viti. Anija e tyre e parë, siç shkruajnë kronikat, u mbyt. Të tjerat, pas katër ditësh mbërritën në Durrës, ku u pritën mirë dhe pastaj me eskortë, përmes Via Egnatia, duke kaluar drejt Ohrit, Ostrovo-s, Vodena-s, Selanikut e Christopolis (Kavalla), vazhduan gjer në Konstantinopojë, ku perandori i priti mjaft mirë.

Për Kryqëzatë ishte nisur atë kohë dhe franku Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s, i cili, pasi kishte zbritur në Itali, mori rrugën drejt brigjeve shqiptare. Meqë mendonte se s’do të kthehej më nga Jeruzalemi, ku do t’i kushtohej Krishtit, ai abdikoi si princ dhe tokat ia kaloi të birit. Me të ishin bashkuar tani dhe Raimbaud, konti i Orange-s, Gaston de Bearn, Gerard de Roussillon, Palamede de Montalieu, Eusebe de Beziers, Guillaume de Montpellier, Adhémar de Puy, prijësi fetar i Kryqëzatës me vëllezërit e tij, peshkopi i Orange-s, etj. Historiani Steve Runciman, shkruan se kur mbërritën në Shkodër, ushqimet po u mbaroheshin, por ata kishin para për të blerë ushqime në këtë qytet. Por meqë nuk gjetën gjë, ata vazhduan rrugën drejt Durrësit. Një kryqtar dhe kronist tjetër i kësaj kohe, Guillaume de Tyr, përshkruan rrugëtimin e provincialëve (nga Provence e Francës) me në krye Saint-Gilles, ku thekson se ai „u miqësua me mbretin e sllavëve, por megjithë këtë marrëveshje, ushtarët e kontit u keqtrajtuan nga sllavët”. Kronisti tjetër Raymond d’Aguillers e vendos mbërritjen e tyre në Shkodër në muajin janar.

Në fillim të shkurtit, më së fundi, ata mbërritën në veri të Durrësit. Guvernatori Joan Komnena i priti me ngrohtësi, pohon Ana Komnena, ndërkohë që „anonimi” tek Gesta Francorum, shkruan për mosbesimin e madh të bizantinëve. Guillaume de Tyr na informon nga ana e tij se në Durrës ata i pajisën me leje-kalimi nga ana e perandor Aleksis për tu nisur drejt Konstantinopojës. Vëllai i peshkopit, kalorësi Hugues de Monteil, meqë ishte sëmurë, u detyrua të qëndrojë në Durrës. Por rrugës, këta kryqtarë, herë pas here u sulmuan nga ushtarët e perandorit.1 Funksionarë bizantinë si dhe një eskortë me „petchenegues” ( «Peçenek», popullsi nomade me origjinë turke, e shfaqur në shekullin VIII dhe e vendosur në detin Kaspik në shekullin e X. Më pas ata u vendosën në shërbim të Bizancit), i shoqëroi ata drejt Via Egnatia-s. Por rrugës, ushtarët frankë nuk i duruan sjelljet e eskortës bizantine të përbërë nga „petchenegues” dhe në luftë mes tyre, dy baronë „provençaux” (nga Provence) u vranë. Peshkopi du Puy mbeti i plagosur dhe u tërhoq në Selanik që të mjekonte plagët, ku e gjeti i vëllai që erdhi më pas nga Durrësi. Pak kohë më vonë dhe Raymond u sulmua në Edesse nga ata. Nga një burim tjetër mesjetar, i Raymond d’Arguilers, një kryqtar frank, që tregon mbërritjen e Raymond de Saint-Gilles, kont i Toulouse-s në Durrës dhe rrugëtimin e tij gjithë peripeci drejt Konstantinopojës, ai shkruan: “Ne mbërritëm në Durrës dhe na u duk se ishim në atdheun tonë, duke e konsideruar perandorin Aleksis si një vëlla e bashkëpuntor. Por ata, duke u bërë mizorë, u sulën si luanë dhe i sulmuan njerëzit e paqtë që donin të shërbenin me armët e tyre. Bizantinët i masakruan nëpër prita, në pyje dhe fshatra larg kampit, duke i sulmuar ata gjatë natës me tërbim. Ndërkohë që ata shkretonin, udhëheqësi i tyre premtonte paqe. Madje dhe gjatë armëpushimit ata masakruan Pons Renaud dhe plagosën për vdekje vëllain e tij Pierre, që të dy princa fisnikë. Por edhe pse ne gjetëm rastin dhe u hakmorrëm, ne donim më shumë të vazhdonim rrugën tonë, sesa të ndëshkonim këta pushtë. Kështu u vumë në rrugëtim. Gjatë rrugës, ne morëm nga perandori disa letra, ku ai fliste veç për paqe, vëllazërim dhe vepër të përbashkët, por këto ishin veçse fjalë, pasi si përpara dhe mbrapa, majtas e djathtas, ne ishim të ndjekur nga turqit, „comanses”-ët, „uses-ët, „petchenegues”-ët dhe bullgarët, të cilët na bënin pareshtur prita. Një ditë, kur ishim në fushën e Palegonisë, peshkopi du Puy ishte disi i veçuar nga ushtria për të gjetur një vënd të përshtatshëm për të ngritur kampin tonë. Por ai u kap nga „petchenegues”-ët, të cilët e hodhën nga mushka, e plaçkitën dhe e goditën fort në kokë. Por meqë një prelat kaq i madh ishte i nevojshëm për popullin e Zotit, jeta e tij nuk pushoi, në sajë të Atit të mëshirshëm. Një nga „petchenegue”-ët i kërkonte florinj dhe e mbrojti nga të tjerët. Gjatë kësaj kohe ky lajm u përhap nëpër kamp. Peshkopi u shpëtoi, ndërkohë që armiqtë e tij e kërkonin dhe shokët donin ta mbronin. Kur përmes pengesash të tilla ne mbërritëm në një kështjellë që quhet Bucinat, konti Raymond u informua se „petchenegue”-ët donin ta sulmonin ushtrinë tonë në shtigjet e një mali. Bashkë me disa kalorës, ai u fsheh dhe u vërsul papritur mbi ta, duke vrarë shumë prej tyre, ndërkohë që të tjerët morrën arratinë. Në të njëjtën kohë që perandori na dërgonte mesazhe paqësore, ne ishim ngado të rrethuar nga armiq që kërkonin të na bënin ç’të mundnin…”

Shumë princa frankë morrën në atë kohë rrugën e brigjeve shqiptare. Një nga ata ishte dhe Guillaume I, konti i Nevers, i cili e kishte lënë Francën në shkurt të vitit 1096 dhe siç thonë kronikat kapërceu Adriatikun (Brindizi-Vlora) dhe me një ushtri të paqtë e të disiplinuar kishte marrë Via Egnatia gjer në Konstantinopojë, ku ishte pritur mirë nga perandor Aleksis. Por kronistët i referohen dhe kalorësit Robert de Flandres, i cilët gjithashtu mori udhën drejt brigjeve shqiptare. Ashtu si bashkëluftëtari i tij De Vermondois, në tetor të vitit 1096, Robert de Flandre i shoqëruar nga trupat e krahinës së Brabant-it që udhëhiqeshin nga Badouin d’Alost, konti i Gand-it, u nis nga Bari dhe në fillim të dhjetorit ata ishin në jugun e brigjeve shqiptare. Konti Alost, kishte tentuar të zbarkonte në brigjet e Himarës, jashtë zonave të autorizuara nga autoritetet bizantine, por atje u bllokua nga një eskadër bizantine. Ana Komnena tregon gjatë në librin e saj për zënkën e tij me komandantin Marianos Mavro Katalau, birin e admiralit bizantin, të cilin e paraqet si një hero, meqë e njihte personalisht dhe ishte një nga miqtë e tij. Edhe pse prifti latin u lutej bizantinasve se ata ishin nisur për në Tokën e Shenjtë, përsëri ata i detyruan t’i shoqëronin gjer në Durrës. Kronisti Foucher de Chartres, shkruan për zbarkimin e kryqtarëve fisnikë Robert de Normandie dhe Etienne de Blois rreth dhjetë milje nga qyteti i Durrësit më 9 prill të vitit 1097. Duke lexuar gjithë këto kronika të vjetra që shkruajnë veçse përciptas për ardhjen e kryqtarëve në brigjet e Ilirisë dhe jo për ngjarje të shumta që duhet të kenë ndodhur në tokat e Arbërit, (shumë prej dorëshkrimeve sigurisht kanë humbur në kufijtë e një mijëvjeçari), mund ta imagjinosh atë qytet-port aq të rëndësishëm, ku shkelnin e pikëtakoheshin personazhet e një historie botërore nga më në zë të njerëzimit. Ja pse dhe kronikat në latinisht të këtyre kryqtarëve-kronistë që lidhen me brigjet e Ilirisë, janë padyshim burime të rralla dhe unikale edhe të historisë së trojeve tona, të cilat mbeten për tu deshifruar.

Kur Raymond Saint-Gilles mbërriti në pallatin e perandor Aleksis, ndryshe nga Geoffroy de Bouillon, Saint-Gilles, Robert de Flandre, Robert de Normandie, etj, ai nuk pranoi t’i jepte fjalën „basileus”-it e të betohej që të vihej në shërbim të tij. Dhe ai ishte nga të rrallët që nuk pranoi të bëhej vasal. Kështu, „Kalorësit e Krishtit” u nisën drejt tokave të thella të Turqisë, ku zhvilluan beteja të ashpra me turqit. Me mbërritjen e normandëve në Konstantinopojë, perandor Aleksis pranoi të bisedojë vetëm për vetëm me prijësin e tyre Bohémond, të cilin e shikonte me dyshim, pasi ia njihte forcën, e konsideronte si personalitetin më të madh të asaj kohe, edhe pse kohë më parë kishin ardhur në kryeqytet dhe personazhe të tjerë me emër nga tokat e frankëve. Atëherë u bë pakti mes tij dhe normandëve, të cilët pranuan të bëhen vasalë të perandorit, me kusht, që pushtimet në Orient të ishin pronë dhe mbretëri e Bohémond-it. Veç Ana Komnenas, edhe anonimi i dorëshkrimit Gesta Francorum shkruan për këtë takim historik, në një kohë që në Konstantinopojë ishin dhe prijësa të tjerë frankë që prisnin të niseshin drejt Jeruzalemit dhe që Aleksis i kishte pritur veçmas… Nga kronikat e vjetra që ruhen deri më sot, nuk dimë nëse flitet për kryqtarë të Albanisë që të jenë nisur drejt Jeruzalemit, por kjo nuk është e pamundur, meqë shqiptarët autoktonë ishin jo vetëm një pikë strategjike që lidhte Perëndimin me Orientin por dhe me një kishë kristiane me traditë që në shekujt e parë të Kristianizmit në Iliri. Kronistët e kësaj kohe shkruajnë për etjen e madhe që u shpërnda kudo në tokat latine apo bizantine për të ikur drejt Jeruzalemit dhe çliruar Varrin e Krishtit, edhe pse rruga ishte e rrezikshme dhe kthimi i pasigurt. Kjo thirrje ishte kthyer në një detyrë jo vetëm për fisnikët dhe kalorësit kryqtarë, por dhe për popullin e zakonshëm, siç ndodhi kur turma prej mijra vetësh, me gra e fëmijë ndoqën pas murgun eremit që më pas u quajt Pierre l’Ermite. Për më tepër që Albania, nën shëmbullin e Maqedonisë dhe Greqisë, ku kishte shkelur evangjelisti i madh Shën Pali, ishte kthyer në një vënd ku kulti kristian ishte tepër i zhvilluar. Autorë antikë të kohës romake shkruajnë për kishat e para dhe shenjtët e parë të këtij vëndi. Epiphanios shkruan në Index discipulorum për „Marcos, kushëriri i Barnaba-s, që është bërë peshkop i Apollonisë dhe që për të cilin flet Pali”. Ky është nga dokumentet më të hershme të Kristianizmit në Shqipëri, pasi bëhet fjalë për vëndet e kultit të kohës së Shën Palit, i cili, siç shkruante në letrat e tij (Epîtres de Saint Paul), do të bënte udhëtimin drejt Ilirisë. Dhe dihej që kudo që shkonte, Shën Pali ngrinte kishat dhe kristianizonte banorët paganë. Kisha e Durrësit, si kisha më e vjetër është themeluar që në kohën e Shën Palit (Saint-Paul). Duke iu referuar gjithnjë veprës së Farlatit, konsulli francez Hyacinthe Hecquard (1814-1866), i cili ka qënë në Shkodër, thekson në librin e tij Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, se në vitin 58, jetonin në Durrës 70 familje kristiane, të cilat kishin një peshkop që quhej Cezar ose Apolon. Peshkopi i dytë Asti, i qytetit Dyrrachium, u martirizua në kohën e perandorit romak Trajan, bashkë me shtatë qytetarë romakë që ishin larguar nga Italia dhe ishin strehuar në Durrës për t’i shpëtuar persekucionit. Në letrën dërguar Titit, besnikut të tij, Shën Pali e njoftonte se dimrin do ta kalonte në Nikopojë (Prevezën e sotme) që nuk ishte larg nga Butrointi e Apolonia. Në vitin 387, Shkodra kishte arqipeshkvin e saj të parë, ndërsa i dyti, i quajtur Senecius, mori pjesë në Koncilin e Efesit. Arqipeshkvi i tretë ishte Andrea. Më pas, në „Concilia Oecumenica”, Concilium universale Ephesenum, të vitit 431 shkruhet: „Për praninë e tij në Koncilin e Shenjtë ka firmosur Felix, peshkopi i qyteteve të Apollonisë dhe Bylis. (Në këtë koncil ishte dhe peshkopi Eusebe, po i Apollonisë së Ilirisë). Në vitin 458, ishte peshkopi Philocaris që përfaqësonte në koncilin e Chalcédoine peshkopatën e Bylis. Në Illyrici Sacri, Daniele Farlati shkruan ndër të tjera se “dioqeza e Sapës ose e Zadrimës, midis viteve 119 dhe 1460 përmban emrat e 32 peshkopëve”.

Pas kthimit të kalorësit më të madh kristian të asaj kohe në Pulje dhe pasi kishte lënë një garnizon normand në Antioche (Antiokë) me në krye nipin e tij Tancrede, Bohemond-i do të mbronte tashmë mbretërinë e tij të re dhe së pari në Italinë e jugut. Megjithatë, ai nuk do pushonte së menduari për një ekspeditë të re kundër Konstantinojës. Por më parë ai u nis drejt Francës për të kërkuar ndihmë për ushtrinë që do të organizonte. Në shtator 1105, ai u takua me mbretin e Francës, duke i kërkuar të bijën e tij të madhe për grua, si dhe një nga vajzat e quajtura Cecile për nipin e tij, Tancrede. Martesa e tyre u bë në katedralen e Chartres dhe përgatitjet për luftë vazhduan në Pulje gati një vit. Një kronist tjetër i kësaj kohe, Guilbert de Nogent, autori i Die gesta per Francos, (Detyra kalorsiake e Zotit e përmbushur nga frankët), shkruan për kryqëzatën e afërme dhe martesën e Bohemond-it me Constance, vajzën e mbretit Philippe I. Për Bohemond-in, ky kronist shkruan se „të parët e tij rrjedhin nga Normandia që është një krahinë e Francës dhe ai duhet konsideruar si një frank, për më tepër që ka si grua vajzën e mbretit të frankëve”.

Që para se të niste ekspeditën e tij, Bohemond-i kërkoi të bëjë aleat Papën. Ai i dërgoi atij disa mesazhe, duke i kërkuar mbështetje dhe duke e akuzuar Konstantinopojën si fajtore të skizmës midis dy Kishave si dhe për krimet e bëra kundër frankëve. I informuar për këtë, Aleksis ndërhyri që Papa mos ta mbështeste, edhe pse e kuptoi që menjëherë duhej të përgatitej për luftë në brigjet e Ilirisë. Nga Orienti, ai thirri pjesën më të madhe të flotës dhe gjeneralët e famshëm Cantacuzen e Monastras. Isaac Kontostefanos-in, ai e emëroi „duka i madh”, në krye të flotës që do të vëzhgonte Otranton se mos Bohemond-i nisej drejt Durrësit. Ndërkohë dërgoi dhe ambasadorët e tij në Piza, Gjenova e Venedik për t’i bindur këto shtete që të mos bashkoheshin me Bohemond-in. Por me t’iu afruar Otrantos, admirali Kontostefanos rrethoi Otranton dhe kërkoi ta pushtonte. Ana Komnena shkruan se Otranto drejtohej atëherë nga nëna e Tancrede-it. Ajo kërkoi të negociojë me bizantinin, që të mund të fitonte kohë, gjersa normandët erdhën dhe bizantinët u detyruan të largohen. Por gjatë betejës, u kapën disa prijësa bizantinë, të cilët Bohémond-i ia dërgoi Papës në Romë si dëshmi e qëllimeve armiqsore të Konstantinopojës kundër tyre. Atëherë, i bindur në fjalët e Bohémond-it, Papa i dha pëlqimin që ai të nisej drejt Ilirisë”.

Në fund të vitit 1106, pasi përgatiti mirë ushtrinë e tij dhe veçanërisht flotën në Brindizi, Bohemond-i shkoi në meshën e fundit në kishën e San Nicolas të Barit dhe në 9 tetor mori anijet në portin e qytetit. Kronisti anonim i Barit shkruan se ai u nis me 200 anije dhe 30 „galé”, duke transportuar kështu 34.000 ushtarë. Raoul Tortaire, në poemën e tij epike për betejën e Bohemond-it në Durrës, shkruan për 4000 anije si dhe mijra ushtarë, ku mes tyre ka „longobard” (normandët e Italisë), frankë, flamandë, gjermanë, luftëtarë nga Piza, Gjenova, etj. Midis tyre ishte dhe gjysmë-vëllau i Bohémond-it, Guy, apo Hugues de Puiset, vikont i Chartres, Guillaume Clanet, etj. Bohemond-i me ushtrinë e tij zbarkoi lehtësisht në Avlona (Vlorë), të cilën fillimisht e shkretoi e më pas mori rrugën drejt Durrësit, për ta pushtuar atë. Ishte data 13 tetor. Dy vjet pas nisjes së tij, Bohémond-i gjëndej ende në dyert e kështjellës së Durrësit. Në fillim të vitit 1108, me një ushtri të përgatitur mirë, Aleksis I u nis nga Maqedonia drejt Devollit, meqë mendonte se një pjesë e ushtrisë armike mund të përparonte dhe të kapte rrugën Via Egnatia. „Avlonën (Vlorën), Kaninën dhe Jericho-në (Orikumin), - shkruan Ana Komnena, - perandor Aleksis ia besoi gjeneralit Mihal Kakomenos; Petrelën (Petrula), gjeneralit Alexandre Kabasilas; Dibrën (Devré) Leon Nikotirias dhe rrethinat e Arbanon, Eustache Kamitzes.” (Alexiade, Anne Comnene, XIII). Por ndërkohë, Bohémond-i kishte dërguar drejt Petrelës që ishte një fortesë mjaft strategjike, vëllain e tij Guy, që të mund të mblidhte informata për zonën e Arbanon, e cila ishte mjaft e rëndësishme në udhën drejt Konstantinopojës, ashtu si dhe drejt Durrësit. Në këtë drejtim të fundit, Aleksis kishte nxituar Konstantin Gabras. Pas mbërritjes në Durrës, gjatë gjithë një viti e gjer në fund të dimrit, Bohemond-i e mbajti qytetin të rrethuar dhe në pranverë e kuptoi se kauza e tij kishte marrë fund. Tashmë perandoria bizantine dhe aleatët e saj, siç ishin shqiptarët, kishin formuar një ushtri të disiplinuar. Durrësi ishte e pamundur të pushtohej. Aleksis përdori diversionin, duke u shkruar letra disa prej komandantëve kryesorë normandë që të bashkoheshin me të. Këtë gjë ai e bëri me Guy dhe kalorësin tjetër Richard du Principat. Nga ana e tyre, duke e parë se pakënaqësia ndër trupa po rritej, ata i kërkuan Bohemond-it të negociojë me perandorin. Sipas kronistit Fleury, një murg që ka lënë dorëshkrimin e tij, „Guy u sëmur dhe në krevat kërkoi t’i rrëfehej Bohémond-it, duke i treguar se Aleksi i kishte propozuar që nëse bashkohej me të, ai i jepte vajzën e tij për grua si dhe zotërimin e qytetit të Durrësit. Kur dëgjoi këtë, Bohémond-i e shau dhe u largua i inatosur”. Por nuk kaloi shumë kohë dhe Bohemond-i do ta gjente veten të rrethuar.

I izoluar, dhe në pamundësi për të marrë anijet, meqë venecianët me anijet e tyre vigjëlonin në breg, normandët filluan të vuajnë nga uria e madhe dhe baronët normandë nisën të dezertojnë me rradhë. Një kronist tjetër ka shkruar se Bohemond-i bëri të njëjtën gjë si dhe Robert Guiscard shumë vite më parë, duke i djegur anijet e tij që normandët mos të mendonin t’ua mbathnin e kështu të luftonin për jetë a vdekje. Më së fundi, në shtator të vitit 1108, duke e parë se s’kishte asnjë rrugëdalje, ai i shkroi guvernatorit të Durrësit, duke i kërkuar paqe. Atëherë Aleksis parapëlqeu të vinte vetë për t’i diktuar paqen. Kronisti tjetër i kësaj periudhe, Guillaume de Tyr, shkruan se „pas Traktatit të Devollit”, Bohéemond-i u kthye në Pulje dhe një vit më vonë përgatiti flotën dhe trupat që i kishin mbetur besnike, për të shkuar në Antioche, por ai u sëmur rëndë dhe vdiq. Më pas, Bohémond II do të bëhej mbret i Antioche-s.

Historitë e luftrave kundër Durrësit, për ta pushtuar atë do të vazhdojnë dhe shekuj më vonë. Aleksis vdiq pas 36 vjet mbretërimi, „i mbytur në një det hallesh”, siç shkruan Komnena. Ai vdiq në vitin 1118, në krahët e saj: „Perandori dha frymën e fundit. Dielli im perëndoi, drita ime u shua”. Pas vdekjes së Aleksis Komnena, ishte biri i tij Joan-i, i cili u shpall perandor, edhe pse Ana u përpoq që në krye të perandorisë të vihej burri i saj Nicefor Bryennes, dhe meqë kjo nuk u realizua, ajo u tërhoq në një manastir, ku jetoi gjersa vdiq. Por Joan-i nuk qëndroi shumë si perandor, pasi më 1143, ai u vra gabimisht nga një shigjetë, gjatë një gjahu në pyll. Biri i tij, Manueli, atëherë ishte i vogël dhe u shpall bashkë-perandor me Andronik-un, i cili njihej nga historia për krimet e mëdha që kishte bërë për të hipur në pushtet. Manuelin donin ta vrisnin, por atë e shpëtoi një prift, i cili e çoi fshehurazi në Palermo të Italisë. Ndërsa Ana Komnena, e mbyllur në manastir shkroi veprën e saj Alexiade, në bazë dhe të informacioneve të burrit të saj, një prej gjeneralëve më të shquar të perandorit.

Vite më vonë, kur Manueli, biri i ish perandorit bizantin u rrit, ai u përgatit për tu shpaguar dhe bashkë me normandët, ata u hipën anijeve dhe sulmuan përsëri drejt Durrësit, i cili atëherë mbrohej nga gjenerali i garnizonit, Jan Branas. Normandët e kapën atë dhe e burgosën. Flota normande vazhdoi inkursionet e saj në brigjet e jugut, drejt Vlorës e Korfuzit, duke pushtuar më pas dhe ishujt e Zantes e Peloponezin. Nga Durrësi, ushtria normande u sul drejt maleve shqiptare, duke zbritur gjer në muret e Selanikut, ku kronikat e kohës tregojnë për një masakër të madhe. Më 1147 ishte Roger II, mbreti normand i Siçilisë që zbarkoi në Shqipëri, duke plaçkitur e djegur gjithçka, gjer në Korint. Por në Durrës, ai gjeti rezistencë dhe më pas u kthye në Siçili bashkë me flotën e tij. Kronistët njoftojnë se jo shumë vonë, më 1185, tetëdhjetëmijë ushtarë, nën drejtimin e Guillaume le Bon, mbret i Siçilisë, u nisën të pushtojnë Durrësin, të cilin e plaçkitën dhe e dogjën plotësisht. Më pas, trupat normande u nisën drejt Konstantinopojës, të cilën arritën ta pushtojnë. Andronik-u i tmerrshëm tashmë ishte plak. Me një dorë të prerë dhe një sy të nxjerrë, normandët e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e qytetit dhe e çuan atë drejt hipodromit që ta shikonin të gjithë dhe pikërisht atje, ishte turma ajo që do ta linçonte gjersa do t’i nxirrte dhe frymën e fundit. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe një gjeneral tjetër bizantinas doli në skenë: ky ishte Alexis Barnas, i cili do t’i sulmonte normandët me ushtrinë e tij dhe do t’i thyente. Të thyer, normandët që mbetën u tërhoqën drejt brigjeve të Ilirisë, në Durrës dhe Vlorë, ku menjëherë u hipën anijeve dhe u kthyen drejt Italisë.

Durrësi i shkrumbuar disa herë gjatë një shekulli, do të rilindëte sërrish si një feniks. Me sa duket, kësaj rradhe, epopeja e normandëve kishte marrë fund. Tokat e Ilirisë dukej se nuk do të digjeshin e shkatërroheshin përsëri në këto luftra të gjata, ku dy perandori kërkonin të mposhtnin njëra tjetrën… E megjithatë luftrat do të vazhdonin. Nga viti 1190 deri më 1216 u krijua Principata e Arbërit me mbret Progonin, i cili si kryeqytet zgjodhi Krujën dhe kjo kohë mund të quhet si krijimi i shtetit të parë shqiptar. Në 1190, në koncilin e Dioclea-s (Podgoricë), kisha shqiptare e veriut riafirmoi përsëri lidhjen e saj me Romën. Më 1204, në kohën e Kryqëzatës së katërt, Konstantinopoja u pushtua nga frankët dhe u drejtua nga perandorët latinë, gjersa shumë vite më vonë, bizantinët do të rikthehen përsëri në Konstantinopojë. Historia nuk do mungojë të shkruajë për revoltat shqiptare të viteve 1257-1258. 




Luan Rama

Geen opmerkingen:

Een reactie posten